Shtepi news
BERZH behet aksioner në Union Bank

Investimi do të forcojë zhvillimin dhe kredidhënien e bankës shqiptare


Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po blen një paketë aksionesh prej 12.5% në Union Bank (UB) në Shqipëri, për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të kredidhënies së bankës si dhe strategjinë kësaj banke për një rritje të shpejtë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinjë.

Investimi në aksione kryhet nën Linjën e Financimit të BERZH dhe Qeverisë Italiane për Ndërmarrjet Lokale në Ballkanin Perëndimor, e cila mund të sigurojë investime deri në 8 milionë Euro për çdo kompani.  Përveç financimit të BERZH, parashikohet që UBT të përfitojë nga një program konsulence prej 650 mijë Euro për fuqizimin e kapaciteteve institucionale, financuar nga fonde për bashkëpunim teknik.

Që nga krijimi i saj në vitin 2006, UBT është rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe sot ka një rrjet me 25 degë në të gjithë vendin.  Kjo e bën UB një nga bankat më të mëdha përsa i përket rrjetit të degëve, me një prani të rëndësishme në treg dhe gamë të gjerë produktesh.

Me përfundimin e këtij transaksioni, BERZH do të përfaqësohet me një anëtar në Bordin e bankës.  Përfshirja e BERZH pritet të forcojë më tej standardet e qeverisjes së UBT, strukturën organizative, si dhe politikat dhe procedurat e brendshme.
Gjatë firmosjes së kësaj marrëveshjeje, Zëvendës Presidenti i Parë i BERZH, Z. Varel Freeman, tha se investimi do të forcojë një bankë premtuese në Shqipëri dhe to të ketë ndikim pozitiv në sektorin financiar të vendit duke forcuar konkurencën dhe duke vendosur standarde të larta të qeverisjes korporative dhe administrimit të biznesit.  “BERZH do të sjellë jo vetëm kapital, por edhe përvojën e saj dhe njohuri teknike në këtë partneritet”, shtoi ai.

Kryetari i Bordit të Union Bank, Z. Edmond Leka, në fjalën e tij mirëpriti investimin e BERZH në UB si një investim që sjell një kontribut shumë pozitiv në forcimin e kapitalit të bankës dhe biznesit të saj.  “Ne jemi të sigurtë se rrënjët e forta shqiptare të UB dhe njohuritë lokale do të kompletohen me formimin dhe njohuritë Europiane të BERZH dhe eksperiencën e saj në vendet në tranzicion”, shtoi ai.

Linja e Financimit e BERZH dhe Qeverisë Italiane për Ndërmarrjet Lokale është një linjë financimi për investime e themeluar nga BERZH (WB LEF) me kontribut dhe mbështetje financiare edhe të qeverisë italiane.  WB LEF po kontribuon në ripërtëritjen ekonomike të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor kryesisht nëpërmjet investimit në aksione në kapitalin themeltar ose forma të tjera financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

 

BERZH është investitori më i madh institucional në Shqipëri, me një portofol prej 380 milion Eurosh në një numër të madh sektorësh, ku përfshihen infrastruktura kombëtare, sektori financiar dhe sektori privat i korporatave.

 

-----------------------------------------------------

BERZH zoterohet nga 61 shtete dhe dy institucione ndërqeveritare dhe synon të ndihmojë tranzicionin e ekonomive të centralizuara në ekonomi të tregut nga Europa Qendrore në Azinë Qendrore. Vizitoni, faqen e internetit te BERZH:   www.ebrd.com