Shtepi news
Një linjë kredie prej 2 milionë euro e BERZH do lëvrohet nga Union Bank

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka akorduar në dhjetor 2009 një një linjë kredie afatmesme prej 2 milionë eurosh, që do të injektohet në ekonominë tonë përmes “Union Bank” dhe do të përdoret për kreditimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Marrëveshja e kredisë e nënshkruar nga Union Bank, ështe pjesë e përpjekjeve që bëjnë këto dy institucione që, në përmbushje të misioneve të tyre strategjike të biznesit, të ndikojnë sa më tepër që të jetë e mundur në përmirësimin e klimës ekonomike të bisnesit në Shqipëri, nëpërmjet rritjes së kreditimit të bisneseve të vogla dhe të mesme, që nga ana e tyre përbëjnë dhe pjesën më vitale të ekonomisë shqiptare.
Nisma të tilla marrin rëndësi akoma më të madhe, sidomos në kushtet aktuale, për shkak se, si pasojë e krizës financiare ndërkombëtare është vënë re një tkurrje e aktivitetit kredidhënës në sistemit bankar shqiptar dhe pjesa më e prekur ka qënë pikërisht bisnesi i vogël dhe i mesëm. Ajo që synohet nëpërmjet linjave të tilla kreditore është që të rritet sasia e fondeve në dispozicion për investime kapitale si dhe kapital qarkullues për këto tipe bisnesi dhe në të njëjtën kohë të krijohet mundësia për një përmirësim të mëtejshëm të standartit të shërbimit për këtë grup klientësh, që përbëjnë dhe një pjesë të rëndësishme të tregut të synuar të Union Bank.
Kjo marrëveshje synohet të jetë vetëm faza e parë e një bashkëpunimi që pritet të zgjerohet në të ardhmen e afërt.
“Kjo linjë kredie është e rëndësishme për Union Bank për disa arsye. Ajo shënon një tjetër arritje të rëndësishme në marrëdhënien e frytshme midis Union Bank dhe BERZH, duke vërtetuar angazhimin tonë të përbashkët për përmirësimin e standardeve”, tha me këtë rast Edmond Leka, kryetari i Bordit Drejtues të Union Bank. “Por më e rëndësishmja është që kjo linjë kredie do të ndihmojë për të përmbushur më mirë nevojat e klientëve tanë. Ndërsa një pjesë e mirë e botës bankare po pakëson huadhënien, Union Bank synon të përdorë burime të reja financimi, për të zhvilluar mundësi të reja huadhënie”, vazhdoi z.Leka.
“Mbështetja e ekonomisë reale dhe përforcimi i sektorit financiar janë ndër prioritetet kryesore të BERZH-it në Shqipëri dhe ne kemi kënaqësinë të mbështesim ‘Union Bank’ në punën e saj për të zgjeruar operacionet në të gjithë vendin. Ky projekt do të rrisë konkurrencën në sektorin bankar në Shqipëri, në dobi të bizneseve vendase”, tha Daniel Berg, drejtor i Zyrës së BERZH në Shqipëri.

Kjo është marrëvshja e dyte e Union Bank me BERZH, pas asaj të vitit 2008, ku BERZH mori pjesë në kapitalin aksioner të bankes me 12,5%. Fakti që BERZH ka zgjedhur si partner Union Bank tregon seriozitetin dhe besueshmërinë e kësaj banke me kapital shqiptar. Bashkëpunimi me BERZH, i ka hapur rrugën dhe një marrëveshjeje për rritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve korporative dhe të përsosjes së standartit të shërbimit, për të mundësuar arritjen e objektivit strategjik që Union Bank ka: Të jetë banka më e mirë sipas vlerësimit të klientit, nëpërmjet ofrimit të standartit më të lartë të shërbimit bankar.

Viti 2009 ka qënë viti më i suksesshëm i Union Bank, sepse janë realizuar të gjithë objektivat sasiore që banka i kishte vënë vetes, si në numrin e klienteve, madhësisë së aseteve dhe në profitabilitetin e bankës. Tanimë mund të themi pa frike se UB është një bankë e konsoliduar dhe po bëhet një aktor gjithnjë e më i rëndësishëm në sistemin bankar shqiptar, si nga pikpamja e gamës së produkteve ashtu dhe nga cilësia e standartit të shërbimit që u ofrohet klientëve. Gjatë këtij viti, përfundoi me sukses faza e parë e zhvillimit të bankës, që përkonte dhe me mbylljen e vitit të tretë që banka ofronte shërbimet e veta për klientët. Gjatë kësaj faze është realizuar hapja e 31 degëve në mbarë vendin dhe që përbën në vetvete një rekord në sistemin bankar shqiptar, përsa i përket zgjerimit të rrjetit të degëve në 3 vitet e para të aktivitetit. Në vitin 2009, banka ka arritur të realizojë rritje nga më lartat në të gjithë parametrat e aktivitetit në të gjithë sistemin bankar shqiptar, ku konkretisht rritja me më tepër se 37% në portofolin e kredive, është rritja më e madhe në sistemin bankar.